Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

    Perralla #3

    ak47***
    ak47***
    Administrator
    Administrator


    Male Age : 29
    Poenat : 806
    Reputacioni : 6
    Vendndodhja : AHT-Crews
    Numri i postimeve : 300

    Perralla #3 Empty Perralla #3

    Mesazh nga ak47*** Sat Feb 06, 2010 8:26 pm

    · Vogëlushja prej dëbore



    Në një natë dimri, në krahinën e Provansës, plot me diell e ku bie rrallë dëborë, një stuhi e fortë bëri dëme të mëdha. Një fshatari me të shoqen iu mbulua e tërë shtëpiza me dëborë. Ky ishte një çift i moshuar, pa fëmijë, që kalonte një jetë mjaft të trishtuar.

    - Po bëj një vogëlushe prej dëbore, - tha gruaja. Por për habinë e saj të madhe, papritmas vajza e vogël prej dëbore, iu vu nga pas dhe i foli:

    - Nënë, mos bëni zjarr të madh këtu brenda, sepse nuk e duroj dot të nxehtit. Fshatarët erdhën nga ana e anës për të parë vogëlushen prej dëbore. Dukej e sjellshme; kalamajtë e donin dhe luanin me të. Dimrit ajo ishte shend e verë, por në pranverë bëhej mjaft e trishtuar. Vajza e vogël nuk e donte diellin dhe e kishte zakon të ikte dhe të fshihej në hijen e pyllit kur ai ngjitej lart dhe ngrohte tokën me rreze të forta. Për më tepër, nëna e saj mërzitej se ajo vazhdimisht qante.

    Një mbrëmje vere kalamajtë e fshatit bënë një zjarr për t’u zbavitur e zunë të kërcenin rrotull tij. Meqenëse vogëlushja nuk dukej gjëkundi, shkuan ta kërkonin. Në fillim vajza e vogël prej dëbore sillej rreth e rrotull zjarrit me po aq gëzim sa edhe kalamajtë e tjerë. Por kur deshi të kërcente përmbi zjarr, ajo u zhduk menjëherë. Dhe në duart e dy djemve të vegjël, të cilët e kishin mbajtur për dore, nuk mbeti veçse një pikë uji.








    · Dielli, hëna dhe gjeli



    Shumë e shumë kohë më parë në qiell jetonin tre vëllezër: Dielli, Hëna dhe Gjeli. Një ditë Dielli shkoi të punonte dhe Hëna e Gjeli mbetën në shtëpi. Afër mbrëmjes Hëna e urdhëroi Gjelin të sillte kopenë e bagëtive nga fusha. Por Gjeli, i lodhur nga një ditë e gjatë pune, nuk u bind. Dhe Hëna, duke mos u përmbajtur dot nga inati, e kapi vëllanë nga lafsha (qafa ?) dhe e flaku nga qielli në tokë. Kur në darkë Dielli u kthye në shtëpi dhe nuk e pa Gjelin, e pyeti Hënën për të. Më në fund kjo i rrëfeu se ç’kishte ndodhur. Dielli u dëshprua shumë dhe tha:

    - Hëna ime, meqë ti nuk rri dot e qetë me askënd edhe unë nuk do të jetoj me ty! Qysh sot e tutje nata do të jetë jotja dhe dita imja. Vëllai ynë Gjeli, që ti e dëbove, nuk ka për të të dashur kurrë më. Por mua nuk ka për të më harruar asnjëherë. Kur të çohem unë nga gjumi, ai do të tregojë tërë gëzimin e vet; kur do të çohesh ti, ai do të ikë dhe do të shkojë të flerë.

    Dhe qysh atëherë vërtet kështu ka ndodhur: porsa del Dielli, Gjeli gëzohet që e sheh dhe e thërret:

    - Kikirikiii! Kikirikiii!

    Në gjuhën e gjelave kjo do të thotë: ,,Edhe unë jam këtu! Edhe unë jam këtu!’’

    Dhe pastaj Gjeli këndon e dëgjohet që nga mëngjesi e tërë ditën, ndërsa porsa perëndon Dielli e del Hëna, Gjeli vrapon për në shtëpi dhe fshihet që të mos e shohë të motrën.








    Si e humbi lepuri bishtin?



    Dikur lepujt kishin bisht të gjatë.

    Një ditë një lepur po bridhte rrugës, ku u takua me dhelprën, e cila kishte në gojë një tufë me peshq.

    - Si arrite t’i kapësh gjithë këta peshq? - e pyeti lepuroshi.

    - Zbrit te rrëkéja, zhyte bishtin në ujë dhe prit atje tërë natën. Në mëngjes, në të gjitha qimet e bishtit tënd do të kesh sasira të mëdha me peshq. Nuk do të të mbetet tjetër veçse të zgjedhësh më të mirët. Atë natë lepuroshi shkoi të peshkonte te rrëkéja. Fryente erë, bënte ftohtë. Lepuroshi dridhej; nganjëherë fërkonte putrat e vogla njërën pas tjetrës. Nisi dëbora, flokët e saj të bardhë binin mbi turirin e lepuroshit të gjorë.

    Kur agoi, lepuroshi ende gjendej te rrëkéja. Atëherë mendoi e tha me vete: ,,Tani erdhi koha!’’ E tërhoqi bishtin për të kapur peshqit, por rrëkéja ishte ngrirë gjatë natës; akulli e mbërtheu fort bishtin e lepurit të gjorë, ndaj nuk mundi të ikën dot. Atëherë e tërhoqi aq fort bishtin e vet të gjatë sa iu këput në rrëkénë e ngrirë.

    Që prej asaj dite lepuroshët e kanë bishtin kaq të shkurtër.








    · Flokarta dhe tre arinjtë



    Na ishte njëherë një vajzë, që kishte një emër të bukur, Flokartë. Një ditë, megjithëse nëna ia kishte ndaluar, Flokarta u largua nga shtëpia dhe shkoi në pyll për të mbledhur lule të egra. Ajo nuk e vuri re diskun e kuq të diellit që fundosej pak nga pak përtej maleve. Shpejt ra nata dhe e errësoi pyllin. Për një kohë të gjatë Flokarta u end pyllit, duke qarë me dënesë sepse nuk po gjente rrugën për në shtëpi. Meqë u lodh, ajo u ul rrëzë një lisi. Po në atë kohë u duk së largu një dritë që shkëlqente: atëherë Flokarta mori guximin dhe eci drejt saj. Më në fund mbërriti para një shtëpie të vogël, të cilën s’e kishte parë kurrë ndonjëherë dhe mu aty mendoi të kërkonte strehim.

    Por Flokarta nuk e dinte që kjo shtëpi banohej nga një familje prej tre arinjsh: baba ariu, nëna arushë dhe arushi i vogël, bebë. Në kuzhinë ndodhej një tryezë dhe pranë saj ishin tri karriga: e para ishte e madha, e dyta mesatare dhe e treta më e vockël.

    Të tre arinjtë kishin shkuar për të bredhur dhe, para se të iknin, nënë arusha kishte bërë gati supën dhe e kishte hedhur në tre çanakë. Çanaku i parë ishte i madh, i dyti me madhësi mesatare dhe i treti fare i vogël dhe i bukur. Flokarta vështroi nga dritarja dhe, meqë kishte shumë uri, ushqimi që ishte hedhur nëpër çanakë iu duk joshës: ajo shtyu derën dhe hyri brenda.

    - Sa mirë qenka! - tha ajo.

    Dhe u ul në karrigën e madhe, por kjo ishte tepër e madhe për të. Provoi karrigën mesatare, por ajo nuk arrinte gjer në tryezë. Atëherë Flokarta u ul në karrigën e vogël, që i rrinte për bukuri. Mori çanakun dhe e përlau shpejt e shpejt supën e arushës së vogël. Kur e mbaroi, e ndjeu veten të lodhur. Dhe mendoi se do të ishte mirë të shtrihej. Hipi, pra, në shkallë dhe u fut në dhomën që kishte tre shtretër. I pari ishte i madh, i dyti mesatar dhe i treti një shtrat i bukur, fare i vogël. Ajo provoi në fillim të madhin, por ky ishte tepër i madh. U ngrit e provoi të dytin, por edhe ai, gjithashtu ishte tepër i madh. Atëherë u shtri në shtratin e vogël dhe fjeti me grushtet shtrënguar pranë fytyrës.

    Arinjtë u kthyen shpejt. Meqë të bredhurit ua kishte shtuar oreksin, ata shkuan menjëherë për të ngrënë në tryezë.

    - Dikush është ulur në karrigën time! - bërtiti baba ariu, me zërin e vet kumbues e të trashë.

    - Dikush është ulur në karrigën time! - bërtiti nënë arusha, me trupin mesatar dhe zërin jo të fortë.

    - Dikush është ulur në karrigën time! - bërtiti arusha e vogël me zë të hollë.

    Pastaj ata hodhën sytë në çanakun e tyre.

    - Dikush e ka provuar supën time! - bërtiti baba ariu.

    - Dikush e ka provuar supën time! - bërtiti nënë arusha.

    - Dikush e ka provuar supën time dhe e ka ngrënë atë! - bërtiti me të madhe edhe arushi i vogël me zërin e hollë.

    - Cili mund të ketë qenë vallë? - bërtitën njëherësh të tre arinjtë.

    Baba ariu vrapoi për te shtrati i vet.

    - Dikush është shtrirë në shtratin tim! - briti përsëri ai.

    Nënë arusha vrapoi te shtrati mesatar.

    - Dikush është shtrirë në shtratin tim! - u dëgjua edhe zëri i saj jo fort i trashë.

    Ndërkohë edhe arushi i vogël bërtiti me sa fuqi që kishte:

    - Dikush është shtrirë në shtratin tim! Ah, ja tek është!

    Po në atë kohë Flokarta u zgjua dhe i pa të tre arinjtë, që po e vështronin me inat. Ajo u llahtaris aq shumë sa kërceu nga shtrati, zbriti shkallët me shpejtësi sa nuk ia kishte marrë kurrë mendja dha shpëtoi, duke u futur në pyll. Të nesërmen Flokarta u takua me një druvar, i cili me sopatën në krah shkonte për të bërë dru dhe i tregoi atij ç’i kishte ndodhur. Meqë ai e njihte pyllin si në pëllëmbë të dorës, e përcolli vajzën gjer në fshat. Prindërit e pretën Flokartën me lotë gëzimi. Pas kësaj, vajza me flokë të artë u bë fëmijë i bindur dhe nuk u largua kurrë më vetëm nga shtëpia.








    Bukuroshja Kler Bela dhe peshkatari plak



    Kler - Bela ka një mik të dashur. Ai është plaku Olaf peshkatari.

    Miqësia e tyre ka nisur kështu: një ditë Kler-Bela hodhi një grep në lumë për të zënë një peshk. Shumë shpejt zuri dy peshq të vegjël. Ishte tepër e lumtur dhe e ëma e lavdëroi. Në mbrëmje ajo hodhi tre grepa. Por në mëngjes nuk gjeti asnjë peshk.

    Të nesërmen u ngrit dhe shkoi te lumi. U afrua buzë lumit dhe pa një njeri që ia vidhte peshqit. Kler-Bela nuk kishte frikë aspak. Ajo vrapoi pas vjedhësit dhe i tha:

    - Ju më kini marrë peshkun tim!

    Burri ngriti kokën dhe kur Kler-Belapa fytyrën e tij vuri re se ai ishte peshkatari që banonte në një shtëpi aty pranë.

    - E di fare mirë që janë grepat tuaj, - i tha ai.

    - Po përse, pra, m’i vidhni peshqit?

    Burri e vështroi dhe i tha përsëri:

    - Ti peshkon për t’u zbavitur dhe familja ime po vdes urie. Gruaja plakë dhe fëmijët e mi janë të sëmurë dhe unë nuk kam të holla për të blerë grepa.

    Vajza e vogël u skuq dhe nuk iu përgjigj. Të nesërmen ajo shkoi te lumi. Në çdo grep gjeti nga një peshk. Ajo i vuri peshqit në bohçe dhe nuk shkoi për në shtëpinë e saj; shkoi te peshkatari.

    - Ja peshqit, - thërriti ajo. - Ah! - ia bëri peshkatari plak. - Bukuri!

    Ajo iu afrua burrit dhe e zbrazi bohçen para tij.

    - Mbani ato që janë tuajat, - i tha ai. -Nuk dua të marr peshqit tuaj.

    Por Kler-Belës nuk i bëhej për të ikur. Ajo i tha:

    - Unë do të vij të të kërkoj çdo mëngjes; do të shkojmë bashkë për peshkim dhe kurdoherë do t’i ndajmë së bashku peshqit që do t’i zëmë.

    Atëherë plaku buzëqeshi, ktheu sytë nga ajo dhe i tha:

    - Mirë pra. Do të shkojmë së bashku për peshkim.

    Qysh atëherë, peshkatari plak dhe çupa Kler-Bela, janë bërë miqë të ngushtë.

      Similar topics

      -

      Ora është Sat Nov 23, 2024 2:36 am